Ish komandanti

​Rrustem Mustafa: Specialja është produkt i fushatës anti-UÇK, por e vërteta po vjen

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi ka thënë se Gjykata Speciale duhet të mbyllë të gjitha të pavërtetat e prodhuara mbi lavdinë e luftës së UÇK-së.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Gjykata Speciale është produkt i fushatës anti-UÇK dhe anti-shqiptare, porse e vërteta po vjen.

“Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bolshevizmit dhe aleatëve të saj, duke fituar e mira mbi të ligën”, ka thënë Mustafa.

Postimi i plotë:

E vërteta që po vjen…

Gjykata Speciale duhet të mbyllë gjithë ato të pa vërtetat e prodhuara mbi lavdinë e luftës së UÇK-së, Kombi Shqiptar të marrë përsipër angazhime të reja racionale dhe zhvillimore…

UÇK duke fituar përkrahjen me aleancen e NATO-s, prishi balancat politike strategjike për Ballkanin dhe më gjerë, ato politika i orientoi nga perëndimi duke u larguar nga blloku bolshevik dhe ai i lindjes…

Periudha pas çlirimit, po ashtu karakterizohet me veçantinë e luftës së ashpër të uzinave anti-shqiptare, nëpërmjet shërbimeve inteligjente të infiltruara në çdo cep të Kosovës.

Sado të paralizuara, ato arritën të ngrejnë kurthe, të prodhojnë propagandë anti UÇK, të shantazhojnë e mashtrojnë, e çka jo tjetër, me qëllim të rrënimit të amalgamës UÇK-NATO dhe në funksion të zhbërjes së lirisë së fituar me gjak.

Produktet e kësaj fushate anti-UÇK dhe anti-shqiptare në përgjithësi, janë evidente dhe më subtanciale, ndër to është vetë Gjykata Speciale, por ajo çfarë nuk arritën kurrë, është tendenca e pa kompromis për të zhbërë aleancën e shteteve mike e pro-demokratike, me pasuesit e UÇK-së dhe me shtetin e Kosovës.

Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bolshevizmit dhe aleatëve të saj, duke fituar e mira mbi të ligën…