Qendra Kosovare

​QKRMT kërkon që fotografia e gruas duke u dhunuar nga serbët të largohet

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka reaguar pas fotografisë që është bërë publike sot nga deputetja e PDK-së Flora Brovina, nga ku shihet dhe dëshmohet se si një grua ishte dhunuar nga serbët në sy të familjes. QKRMT madje ka kërkuar që të largohet kjo fotografi nga shfaqja në publik.

QKRTM në këtë reagim thotë se të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë janë të shqetësuar e të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve.“Publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa censurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ri-traumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj qendre, paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike, nuk iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale, madje kërkon nga mediat që të largojnë këto fotografi nga shfaqja në publik “Paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre, andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndjeshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik”.