Kosovë-Serbi

​Presidentja e KE-së përshëndet vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka përshëndetur vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke paralajmëruar se do ta ofrojë mbështetjen e plotë.

“E përshëndes vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe do ta ofroj mbështetjen time të plotë për hapat e radhës në këtë proces”, ka shkruar ajo në Twitter, të dielën.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të dielen e ka zhvilluar një takim “virtual” me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që sipas Bashkimit Evropian, shënon edhe rifillimin formal të dialogut i cili ishte ndërprerë para gati dy vjetësh.

Pas këtij takimi, Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se palët kanë rënë dakord për agjendën e një takimi të radhës dhe ka paralajmëruar takimin me praninë fizike të palëve më 16 korrik në Bruksel.