Aleksander Ceferin

​Presidenti i UEFA-së zotohet se do ta mbështesë Federatën e Futbollit të Kosovës

Presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin, ka pritur sot në selinë e tij presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu.

Në këtë takim, Ceferin e shprehu gatishmërinë për ta përkrahur strategjinë e futbollit për FFK-në dhe projektet të cilat ia paraqiti presidenti Ademi për vitet në vijim.

“Presidenti i UEFA-së u shpreh tejet i kënaqur dhe i mahnitur me zhvillimin, organizimin dhe punën e FFK-së dhe përgëzoi presidentin Ademi për punën e tij, si dhe për rezultatet e ekipeve kombëtare të të gjitha kategorive dhe sidomos të Kombëtares A”, ka bërë të ditur FFK-ja përmes një njoftimi.

Ceferin e shprehu dëshirën që ta vizitojë sërish Kosovën dhe ta shikojë nga afër edhe një ndeshje të kualifikimeve për Evropianin 2020 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ceferin përgëzoi Ademin dhe Salihun edhe për raportet e mira me institucionet e shtetit të Kosovës dhe i falënderoi ato nëpërmjet tyre për përkrahjen dhe ndihmën që po i japin FFK-së në shumë segmente, e sidomos në përmirësimin e infrastrukturës dhe sipas tij ky është lajm i mirë për futbollin e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu e falënderuan presidentin Ceferin për përkrahjen që ua dha objektivave dhe projekteve të presidentit, sekretarit dhe KE të FFK-së. Në fund, presidenti Ademi i bëri ftesë presidentit Ceferin për ta vizituar Kosovën, të cilën ai e pranoi me kënaqësi. Ndërkohë, pas takimit presidenti Ceferin shtroi drekë për krerët e FFK-së në selinë e UEFA-s.