Koret raciste

​Policia e Milanos kërkon suspendimin e tifozëve ultras të Interit nga ndeshjet e Serisë A deri në këtë datë

Drejtori i Policisë së Milanos, Marcello Cardona, ka thënë se ai do të kërkojë që tifozët ultras të Interit të mos lejohen të shkojnë në ndeshjet e klubit të tyre si mysafirë, si dhe të mbyllet “Curva Nord” deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Fitorja e Interit me rezultat 1-0 ndaj Napolit mbrëmë u prish nga skenat e tmerrshme pasi që katër tifozë u therën me thikë, një tifoz vdiq pasi u shkel me furgon dhe Kalidou Koulibaly ishte viktime e koreve raciste.

“Kishte më shumë se 100 tifozë ultras të përfshirë në këto incidente, madje edhe disa nga Varese dhe Nice”, ka thënë Cardona gjatë një konference për shtyp pas incidenteve në ndeshjen e mbrëmshme.

“Ndodhën disa incidente shumë seriozë, kështu që unë kërkoj nga Komiteti i Rendit Publik që të mos i lejojë tifozët e Interit në ndeshjet e klubit si mysafir deri në fund të këtij sezoni, si dhe kërkoj mbylljen e ‘Curva Nordit’ në San Siro deri më 31 mars të vitit 2019, ose për pesë ndeshje plus një të Kupës së Italisë”.