​Përmirësohet moti, nis lundrimi i trageteve në Vlorë

Me përmirësimin e kushteve atmosferike trageti “Red Star” është ankoruar në kalatën e portit të Vlorës dhe pritet të fillojë normalisht marrjen e pasagjerëve.

Porti detar i Vlorës bën të ditur se “nisja drejt portit të Brindizit do të jetë pas përfundimit të imbarkimit”.

Moti i keq që përfshiu vendin tonë solli probleme paraditen e sotme në portet detare të Durrësit dhe Vlorës.

Në Vlorë trageti i linjës Vlorë-Brindisi për shkak të motit me erë dhe dallgë të fuqishme nuk u nis drejt portit të Brindizit, transmeton atsh.

Ndërsa në portin e Durrësit, era e fortë dhe reshjet që nisën paraditen e sotme kanë ndërprerë përkohësisht veprimtarinë përpunuese të anijeve.