Ambasadori

​O’Connell: Presioni mbi gazetarët është i papranueshëm

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell konsideron se është shumë e rëndësishme që secili të reagojë për të mbrojtur lirinë e gazetarëve. Lirinë e mediave e quan ‘gjak të demokracisë’, derisa thekson që nëse qytetari nuk është i informuar atëherë nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë.

Ruairi O’Connell në një intervistë për KosovaPress, flet për domosdoshmërinë e gazetarisë për demokraci, ndërkohë përmend gjendjen në Kosovë, duke theksuar rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve serb dhe atyre shqiptar.

Ambasadori britanik në Kosovë thotë se është shumë e rëndësishme që çdo vend demokratik të bëjë çmos për të mbrojtur gazetarët, por që edhe qytetarët duhet të mbrojnë lirinë e medias.

O’Connell shton se viti 2018 ka qenë i rrezikshëm për gazetarët në botë, ndërkohë porositë që duhet reaguar në rastet kur ka informata për kërcënime, në mënyrë që të mbrohet liria e medias.

Kujtojmë se marrë parasysh rrezikun për gazetarët, sekretari i Jashtëm i Britanisë dhe ai i Kanadasë, kanë vendosur të krijojnë një fushatë botërore për të promovuar lirinë e medias.

Në Londër sivjet mbahet konferencë botërore për lirinë e medias dhe në kudër të kësaj fushate, për lirinë e medias është diskutuar edhe në Kosovë, në një organizim të Ambasadës Britanike, ku gazetarë shqiptar dhe të huaj kanë treguar përvojat nga puna e tyre.