Ylli brazilian

​Neymar tregon arsyen se pse festoi para fytyrës së Kimmich

Braziliani e mohoi që ka pasur për qëllim të provokojë mesfushorin e Bayernit.

Neymar ka treguar arsyen se pse ka festuar para fytyrës së Joshua Kimmich, pasi që Paris Saint-Germain mposhti Bayern Munichun në Ligën e Kampionëve.

Pas kualifikimit tutje, Neymar shpërthen në emocione dhe vrapon për të festuar gëzimin me Leandro Paredes, para fytyrës së Kimmich, i cili ishte duke u larguar nga fusha.

Para ndeshjes së kthimit, Kimmich kishte thënë që beson që Bayerni do të kualifikohet për në gjysmëfinale, dhe tani Neymar mohon që kishte provokuar mesfushorin gjerman pas ndeshjes.

“As që e kisha në mendje që ta provokoj atë, dëshiroja që vetëm të festoj dhe Leo Paredes ishte aty”, tha Neymar për “TNT Sports Brasil”.

“Unë e pashë atë para meje dhe festuam së bashku, supozoj që ishte fati ai që e vendosi Kimmichun aty. Dikë si ai që kishte thënë që skuadra e tij ishte më e mirë, që do të kualifikohej, që e kishte siguruar biletën për në gjysmëfinale”, shtoi ylli brazilian.

Pavarësisht humbjes minimale mbrëmë 1:0 kundër Bayernit, shkaku i golave si mysafirë, Paris Saint-Germain arriti që të siguroj kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve.