Korruopsioni

​Ndodh edhe kjo, rektori jep mësim edhe në shkollë të mesme

Në tryezën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ, u tha se përveç shumë zyrtarëve të shumë institucioneve të Kosovës, të cilët mbajnë më shumë se një pozitë të punës, është edhe një rektor, i cili jep mësim në shkollë të mesme.

Blend Zyrapi, nga KIPRED ka thënë se në përgjithësi janë analizuar të dhënat për 656 zyrtarë publik, prej tyre 60 zyrtarë kanë nga dy pozita, 10 zyrtarë kanë nga tri pozita si dhe 5 zyrtarë kanë nga katër pozita.

Një zyrtar në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka katër pozita pune, ndërsa edhe në BQK një zyrtar ka katër pozita pune. Ndërsa, në Kuvendin e Kosovës shtatë zyrtarë kanë nga tri pozita pune. Në AKP po ashtu një zyrtar ka tri pozita pune.

Edhe Leonida Molliqaj nga Çohu ka prezantuar të gjeturat nga të hyrat e të gjithë zyrtarëve të lartë publik. Ajo ka thënë se një ndër institucionet që nuk ka qenë transparente, është Kuvendi, që sipas saj, nuk ka kthyer lidhur me pagat dhe shtesat e deputetëve dhe të punonjësve të tjerë në këtë institucion. Deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi ka thënë se ka korrupsion dhe krim të organizua.

Sipas tij korrupsioni nuk luftohet për një javë. Sipas tij, për këto raste nuk ka dënime të merituara. “Dënohen njerëzit për pesë euro dhe jo ata që vjedhin miliona euro”, tha ai.

Të pranishëm ishin edhe deputetë të tjerë, Dardan Sejdiu nga PSD, Billall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate dhe Ahmet Isufi nga AAK.