Obiliq
Ndihmohen me pako ushqimore familjet e varfra të Obiliqit
Mbi 100 familje të Obiliqit që jetojnë me ndihma sociale janë ndihmuar sot me pako ushqimore dhe veshmbathje.
Këto ndihma i kanë dhënë dy kompani vendore, Zero Pozitive dhe kompania e verërave Stone Castle.
Përfaqësuesi i Zero Pozitive, Genc Meraku u shpreh se kjo iniciativë e tyre në qytetin e Obiliqit është vetëm fillimi i një varg ndihmash që ata do t’i bëjnë në disa qytete të Kosovës.

Sipas tij, ky veprim është vetëm një gjë e vogël, që po vazhdon atë traditën që kanë filluar tash e disa vjet.
Ismet Hulaj nga Stone Castle, ka folur për rëndësinë e këtij aksioni ku sipas tij kjo tashmë është shndërruar në traditë dhe do të vazhdojnë dhe në qytetet tjera.
Ndërsa, kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, tha se ky veprim i dy kompanive vendore ka qenë shume i nevojshëm në komunën që udhëheq.

Sipas tij, shumë familje janë në gjendje të keqe sociale dhe me anë të këtij veprimi në një formë atyre do t’i lehtësohet gjendja.
Përzgjedhja e familjeve që janë ndihmuar është bërë nga Drejtoria për Shëndetësi e komunës së Obiliqit.
Drejtori Ibush Mjekiqi tha se fokus kryesor ka qenë tek nënat vetushqyese.
Njëra këto gra përfituese, tha se këto pako janë shumë të nevojshme, pasi gjendja sociale e tyre është mjaft e rëndë.
“Shumë jena të kënaqur…deri diku i plotësojnë, me pension 75 euro jetoj”, tha ajo.
Por kishte familje kryesisht të komunitetit rom që u shprehen të pakënaqur me mënyrën e shpërndarjes së ndihmave./KosovaPress/

Ata thanë se iu është bërë e padrejtë.
Komuna e Obiliq është ndër komunat që ka më së shumti familje me asistencë sociale, ku vetëm vitin e kaluar janë lajmëruar mbi 800 familje që kanë nevojë për ndihmë.