​Ndahen 2.5 milionë euro për stadiumin e ri të Kukësit

Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar 2.5 milionë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të Kukësit.

Në një bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ku të dyja palët do të jenë kontribuuese gati 50 me 50% të investimit, qyteti i Kukësit do të ketë një stadium të ri në vitin 2019.

Sipas projektit, stadiumi i ri i Kukësit do të ketë kapacitet prej 6500 vendesh dhe do të jetë i një kategorisë Elite 3 të UEFA-s, duke qenë se kategoria Elite 4 ka mes të tjerave si kusht edhe kapacitetin, gjë që nuk e plotëson ky stadium.

Punimet pritet të fillojnë vitin e ardhshëm dhe kohëzgjatja e tyre mund të shkojë deri në rreth 9 muaj. Prej disa muajsh që nga fillimi i këtij sezoni futbollisti, stadiumi i Kukësit është i mbyllur për zhvillimin e ndeshjeve të skuadrës verilindore, pikërisht me synimin e miratimin të fondeve për të filluar punimet për këtë projekt.