Deputetja e PDK-së

​Musliu: PDK tejkaloi vetveten për hir të vendit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se ky subjekt politik ka vendosur që ta votojë projektbuxhetin për vitin 2021, ndonëse vlerësojnë se ai nuk është më i miri.

“PDK e tha edhe sot përmes deputetëve të saj që ky buxhet nuk është buxheti që do të duhej të ishte. Por meqë Kosova është në këtë situatë dhe parashihet që mos aprovimi rrezikon që në fund të marsit që të gjithë punëtorët e sektorit publik të mbesin pa paga, kemi vendosur ta votojmë”, është shprehur Musliu.

Ajo në Info Magazine të Klan Kosovës është shprehur se PDK në vitin 2020 ka tejkaluar vetveten duke votuar tash projektbuxhetin, paraprakisht Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike si dhe mbi dhjetë marrëveshje ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh që vendi mund të hyjë në krizë ne si PDK kemi vendosur që ta votojmë këtë projektbuxhet dhe kemi dhënë votën tonë pro. Si PDK kemi vendosur që edhe këtë radhë për hir të qytetarëve ta votojmë buxhetin. E kemi votuar edhe Pakon e Rimëkëmbjes. Kemi arritur si PDK brenda këtij mandati mbi dhjetë marrëveshje ndërkombëtare ku kemi dhënë votën në Kuvend. Nga e thëna në të bërë është një det i tërë dhe PDK këtë e ka vërtetuar. E kemi tejkaluar vetveten për hir të gjendjes në të cilën gjendet vendi”, ka thënë Musliu.