Uellsiani

​Mourinho e largoi Giggsin prej Manchester Unitedit për shkak të skandalit me gruan e vëllait

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, nuk kishte pranuar ta mbante në stafin e tij të trajnerëve, legjendën e klubit, Ryan Giggs, kur e mori pozitën e trajnerit në këtë klub, pasi që nuk i besonte atij për shkak të skandalit që e kishte me bashkëshorten e vëllait të tij.

Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, dëshironte që t’i mbante në role të ndryshme brenda klubit ekipin legjendar të vitit 92’, por Mourinho zgjodhi ta mbante vetëm Michael Carrickun.

Giggs kishte luajtur një rol kyç në kohën e Louis van Gaalit në “Old Trafford| dhe shumë persona ishin habitur kur tani trajneri i Kombëtares së Uellsit u largua nga stafi i trajnerëve me emërimin e Mourinhos në këtë pozitë.

“Woodwardi dëshironte ta mbante Ryan Giggsin, mirëpo Mourinho e kundërshtoi këtë ide sepse ai nuk mendonte se mund t’i besonte uellsianit për shkak të lidhjes jashtëmartesore që e kishte pasur ai me bashkëshorten e vëllait”, ka thënë një burim i “The Times”.

Mourinho u shkarkua të martën nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit pas rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta gjatë këtij sezoni. Në vend të tij është emëruar përkohësisht, deri në fund të sezonit, ish-sulmuesi legjendar i klubit, Ole Gunnar Solskjaer.