Angela Merkel

​Merkel: Vendimi i Bjellorusisë është i paprecedent dhe i papranueshëm

Vendimi i Bjellorusisë për të detyruar aeroplanin të ulet dhe të arrestojë gazetarin që ishte në aeroplan është i paprecedent dhe i papranueshëm, tha sot kancelarja gjermane Angela Merkel, duke kërkuar që disidenti bjellorus të lirohet menjëherë.

“Ne e diskutuam këtë çështje shumë intensivisht dhe të gjithë ranë dakord se ishte një akt i papranueshëm pa precedent,” tha Merkel pas samitit të BE në Bruksel, raporton Reuters.

“Ishte një ulje e detyruar që i vendosi njerëzit në rrezik dhe çoi në arrestimin e gazetarit Roman Protashevich dhe partneres së tij. Ne i kërkojmë Bjellorusisë që t’i lirojë të dy menjëherë,” tha Merkel.

Sipas agjencisë, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, urdhëroi uljen e detyruar të aeroplanit Ryanair në Minsk të dielën, në të cilin udhëtonte blogeri i shquar i opozitës Roman Protashevich.

Raporti i agjencisë britanike të lajmeve thotë se Lukashenko personalisht urdhëroi një avion të Forcave Ajrore Bjelloruse që të shoqëronte një aeroplan të “Ryanair” në aeroport në Minsk.

Protashevich, i cili ishte në listën e kërkuar të autoriteteve bjelloruse pas protestave masive të vitit të kaluar të organizuara për shkak të fitores së diskutueshme të zgjedhjeve të Alexander Lukashenko, u arrestua pasi aeroplani aterroi në aeroportin e Minskut.