“Mbappe është fenomen”
Sulmuesi francez i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, e ka filluar këtë sezon në mënyrë të mrekullueshme dhe performancat e tij kanë bërë që ai të marrë lëvdata edhe nga bashkëlojtari i tij, Julian Draxler, i cili e ka quajtur atë fenomen.
19-vjeçari Mbappe tanimë ka arritur t’i shënojë dhjetë gola në vetëm shtatë ndeshje gjatë këtij sezoni, duke përfshirë këtu edhe katër golat e shënuara për 13 minuta në ndeshjen e së dielës kundër Lyonit, transmeton Gazeta Express.
Draxler, i cili ka startuar vetëm tri ndeshje të Ligue 1 këtë sezon, e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij, Mbappen, duke theksuar shpejtësinë e tij të mrekullueshme që e bën atë shumë të rrezikshëm për skuadrat kundërshtare.
“Sipas mendimit tim, nuk ka se çfarë të themi më shumë për këtë fjalë. Ai është fenomen, ka shumë shpejtësi dhe mendoj se nuk ka shumë futbollistë të tjerë në botë të cilët kanë shpejtësi të ngjashme me të”, ka thënë gjermani.
“Ai është shumë i rrezikshëm para portës dhe mendoj se të gjithë futbollistët e skuadrës sonë janë të lumtur se ai është bashkëlojtar i yni. Do të doja të isha po aq i shpejtë sa është ai, por fatkeqësisht nuk jam”.
Skuadra e Thomas Tuchelit ka thyer rekord për rezultatet më të mirë në fillim të një sezoni të ri të Ligue 1, pasi që i kanë fituar nëntë ndeshje radhazi, duke e mbajtur epërsinë prej tetë pikëve në krahasim me klubin në pozitën e dytë.