Ylli belg

​Legjenda e Chelseat e paralajmëron largimin e Hazardit

Legjenda e Chelseat, Michael Essien, e ka paralajmëruar klubin londinez se ylli belg i skuadrës, Eden Hazard, mund të largohet gjatë verës së ardhshme, pasi që të gjithë duan të luajnë për Real Madridin.

Hazard nuk e ka pranuar ende ofertën e klubit të “Stamford Bridge”, pasi që nuk e marrë ende vendimin për të ardhmen e tij. Drejtuesit e Chelseat janë të gatshëm t’ia ofrojnë atij çfarëdo kontratë që ai e dëshiron për ta mbajtur në klub.

Mirëpo, belgu nuk e ka mbajtur aspak sekret faktin se ai e ka ëndërr të luajë për Real Madridin, mirëpo në deklaratat e tij ka shtuar se përkundër që kjo është një ëndërr e tij, ai do të jetë i lumtur edhe nëse nuk largohet nga Chelsea.

Essien, i cili ka luajtur për Chelsean dhe për Real Madridin gjatë karrierës së tij, e pranon se një ofertë nga Real Madridi mund të jetë mjaft e vështirë për t’u refuzuar për cilindo futbollist të Premierligës.

“Hazard është një nga lojtarët më të mirë në botë. Interesimi i Real Madridit, kam dëgjuar për këtë nga mediat. Por, dua të them, kur Real Madridi të thërret, çdo lojtar dëshiron të luajë për ta”, ka thënë Essien.

“Megjithatë, ai është i lumtur te Chelsea dhe shpresoj që ata do të munden ta mbajnë”.