‘LDK nuk do të bëhet bisht i PDK-së’
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, tha se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës, derisa theksoi se partia që ai drejton nuk do t’i bëhet bisht PDK-së në pushtet.
Ai tha se në mbledhjen e kryesisë së LDK-së është biseduar për një platformë për dialogun me Serbinë. Sipas tij, ky dialog duhet të vazhdojë por duhet të definohet si dialog në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e jo në mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kryetari i LDK-së e ka hedhur poshtë ftesën e homologut të tij nga PDK-ja, Kadri Veseli, për unifikim të spektrit politik të Kosovës rreth dialogut. Ai tha se nuk ka komunikuar me Veselin dhe se deklarimet e tij se janë afër konsensusit për dialog, i ka quajtur reklama që kreu i Kuvendit po ia bën vetes.
Ai tha se tema për korrigjimin e kufijve dhe ‘krijesave’ me kompetenca ekzekutive, duke aluduar kështu n asociacionin e komunave serbe, as që duhet të vijnë në shprehje për diskutim.
Sipas tij, të gjitha kushtet janë “pjekur” që vendi të shkojë në zgjedhje, kjo pasi sipas tij ‘Qeveria e pakicës nuk mund të udhëheqë dialogun, dhe aq më pak presidenti i cili nuk ka mandat për këtë’.
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur edhe për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
“Po punojmë që të sigurojmë edhe disa vota nga partitë të cilat janë në pozitë. Andaj, nuk kemi heq dorë dhe nuk do të heqim dorë jo vetëm për shkak të dialogut, por për shkak të asaj që vërtet jemi të bindur se ky vend e meriton një qeverisje tjetër, e cila mund të përballet me këto sfida me të cilat po ballafaqohemi sot”, tha Mustafa.