Gjykata e Apelit

​Kthehet në rigjykim çështja penale kundër Zenun Elezajt

Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit Zenun Elezaj, por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 25.01.2021 dhe rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.

I pandehuri Z.E., që është kryetar i Komunës së Klinës, është gjykuar muaj më parë nga ana e gjykatës së shkallës së parë, me dënim më gjobë, në shumën prej katër mijë euro, pasi që është gjetur fajtor për veprën penale “Konflikti i interesit”.

Gjykata e Apelit, ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë duhet anuluar, ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke qenë se nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370 paragrafi 7 lidhur me nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale.

Kjo pasi që dispozitivi është në kontradiktë me arsyet e theksuara, në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, njëkohësisht mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa, ato që janë dhënë, nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera në lëndë.

Po ashtu gjykata gjeti se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë, prandaj edhe vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.