Hisen Berisha

​Kriza energjetike, Berisha: Prokurori i Shtetit të nisë hetime për humbjet që po i shkaktohen Kosovës

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka akuzuar Qeverinë Kurti për krizën energjetike në Kosovë, duke kërkuar njëherësh nga Prokurori i Shtetit të nisë hetimet në lidhje me humbjet energjetike.

Ai në debatin parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka përsëritur se rritja e çmimeve të energjisë elektrike është e jashtëligjshme dhe se PDK-ja është kundër kësaj rritjeje.

“Kriza energjetike në Kosovë nuk erdhi si rezultat i krizës globale sepse Kosova nuk u ndikua nga kriza globale energjetike… Kosova nuk varet as nga gaz-përçuesi Gazprom, as Nord Stream, as naftësjellësit, as nga kriza politike në Rusi e Ukrainë dhe këto arsyetime nuk qëndrojnë”.

“Kryeministri dhe Qeveria e tij e solli këtë krizë si rezultat i keqmenaxhimit sepse nuk u krijuan rezervat energjetike me kohë, u ndërhy me urdhra politik në riparimet e KEK-ut pa u bërë inspektimet e duhura dhe për pasojë krijuan avari në bllokun 2 duke shkaktuar miliona euro për KEK-un dhe Kosovën. Tani po keqpërdorni para për të ashtuquajturin ekspert dhe për këtë kisha kërkuar nga Prokurori i Shtetit të nisë hetime për këto humbje të qëllimshme që po i shkaktohen Kosovës”, tha Berisha.