Reduktime

​KMDLNJ: Reduktimet me energji, një paralajmërim i keq për qytetarët

KMDLNJ ka reaguar pas nisjes së reduktimeve me energji elektrike në vend dhe paralajmërimeve për shtrenjtim të rrymës, duke thënë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta ndërpresë pagesën e rrymës për komunat e veriut dhe t’i trajtojë konsumatorët në përputhje me ligjet në fuqi.

KESCO ka kërkuar nga KEDS-i të fillojë nga sot reduktimet me energji elektrike sipas skemës, 6 me rrymë dhe 2 orë pa rrymë, gjë e cila ka shkaktuar reagime të shumta.

Para kësaj, KESCO ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës subvencion rreth 40 milionë euro për të paguar anëtarësimin në rrjetin ndërkombëtar sikur edhe për të paguar rrymën për komunat e veriut.

Në reagim, KMDLNJ kujton se Qeveria e Kosovës nuk ka mbajtur premtimin se nuk do të paguajë në të ardhmen faturat e rrymës në veri, duke vazhduar kështu diskriminimin e konsumatorëve të rrymës në baza etnike.

Për më tepër, KMDLNJ kujton se gjykata kompetente me kërkesë të Avokatit të Popullit ka nxjerrë një vendim se është i kundërligjshëm subvencionimi i 100 për qind i faturave për rrymë dhe shërbimeve tjera për serbët dhe të tjerët në veri dhe ka kërkuar që të ndërpritet ky diskriminim në baza etnike.

“Fillimi i reduktimit të rrymës në kohën kur shpenzimi i rrymës është më i ulët është një paralajmërimi i keq për qytetarin. Në kohën kur kemi inflacion rreth 15 për qind dhe çmimet e artikujve elementarë po rriten, shtrenjtimi i rrymës do të godasë tepër rëndë ekonomitë familjare sikur edhe bizneset. Rritja e rrymës, në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve tjerë dhe të shërbimeve andaj KMDLNJ kundërshton kërkesën e KESCO sikur edhe reduktimet që tashmë kanë filluar, duke kërkuar nga qeveria që të mbrojë interesin e qytetarëve duke pamundësuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, thuhet në reagim.

Ndryshe, KEDS ka theksuar se energjia elektrike e blerë ka shkaktuar humbje enorme, andaj KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë, duke kërkuar me urgjencë veprimi i akterëve tjerë në përballje me krizën.

Aktualisht prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh, teksa kërkesa për konsum është deri në 750 MWh. Sipas Ministrisë së Ekonomisë humbjet komerciale dhe teknike të KEDS janë 19%.

Sipas KEK-ut për momentin në prodhim janë blloqet A3, A4, B1, ndërsa në B2 ndodhet në remont deri më 26 gusht 2022.