​Klitschko i kthehet boksit, kërkon meç kundër Joshuas e Furyt

Wladimir Klitschko i ka filluar negociatat për t’iu kthyer boksit dhe ish-kampioni botëror në kategorinë e peshave të rënda dëshiron ta nisë kthimin e tij me rimeçe kundër Anthony Joshuas dhe Tyson Furyt.

42-vjeçari u pensionua nga karriera e tij si boksier profesionist në prill të vitit 2017, pasi pësoi disfatë në meçin kundër Joshuas në stadiumin kombëtar të Anglisë, Wembley.

Gjatë javëve të fundit ishte përfolur se Klitschko mund të ndeshet me Dilian Whyte në prill të këtij viti, mirëpo Klitschko i kishte mohuar këto spekulime duke i quajtur “fake news” dhe duke thënë se këto spekulime ishin si shaka e hershme për 1 Prillin.

Megjithatë sipas revistës Ring, Klitschko ka qenë në negociata me DAZN për ta bërë kthimin e tij përmes tri meçeve. Në meçin e parë, ukrainasi do të ndeshet me një kundërshtar më të dobët.

Pas këtij meçi, Klitschko do të përballet me një rimeç kundër Furyt, i cili në nëntor të vitit 2015 i dha fund sundimit të tij si kampion i unifikuar botëror.

Sipas, Ring, meçi final do të jetë kundër Joshuan, më shumë se dy vite pasi ata u përballën në një prej meçeve më të mira në kategorinë e peshave të rënda gjatë kohës së fundit.