Kërkesat
Kërkohet rregullore e veçantë për punësimin e personave me aftësi të kufizuar
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica kërkoi të nxirret një rregullore e veçantë, e cila do të vendoste kritere të veçanta për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
Kërkesa e ministrit erdhi meqë në ligjin për Shërbimin Civil nuk është paraparë ndonjë masë afirmative për këta persona dhe kushtet e rekrutimit të tyre janë të njëjta me të gjithë të tjerët. Kjo çështje mbeti e hapur deri në Ligjin e ri për Shërbimin Civil.
Ministri Reçica tha se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për të lehtësuar kushtet e punësimit për personat me aftësi të kufizuar.
Ai tha se në këtë mënyrë Qeveria do të tregonte gatishmërinë që kjo kategori mos të mbetet edhe më tej e margjinalizuar.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se me ligjin e ri do të rregullojnë çështjen e personave me aftësi të kufizuar dhe komuniteteve, meqë sipas tij tani nuk mund të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit.
Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tema të tilla duhet të prezantohen të përgatitura mirë në mënyrë që Qeveria të mund të marrë vendim.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratuan një varg projektligjesh, ndër të tjera edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.
Sipas kryeministrit Haradinaj, me këto ndryshime fuqizohet transparenca, llogaridhënia, dhe njëkohësisht Kosova është në rrugë të mirë të përmbushjes së MSA-së si obligim ndaj BE-së.