mesfushori

​Kante: Nuk jam futbollisti më i sjellshëm, jam thjesht një futbollist

Mesfushori francez i Chelseat, N’Golo Kante, ka insistuar se ai nuk është njeriu më i sjellshëm në futboll dhe ka kërkuar që kur të tjerët të diskutojnë për të, ta diskutojnë vetëm aspektin sportiv të tij.

Francezi është lavdëruar shpeshherë për sjelljen e tij modeste dhe stilin e tij të thjeshtë të jetesës, mirëpo ai e ka pranuar se nuk sheh asgjë të veçantë në mënyrën se si sillet.

“Unë luaj futboll dhe dua të konsiderohem si futbollist. Nuk dua që njerëzit t’i kushtojnë shumë vëmendje sjelljes time jashtë futbollit, çfarë bëj unë dhe që pyesin se kush është N’Golo”, ka thënë Kante.

“Thjesht konsideromëni si një futbollist, nuk duhet të më shikoni dhe të thoni: ‘Oh, ai është kështu, ai është kështu dhe ai është kështu’. Më pyesni për futbollin tim dhe jo shumë për gjërat e tjera. Unë dua të jem vetëm një lojtar tjetër në mesin e shumë lojtarëve”.

“Unë jam kështu si jam. Nuk mund ta sqaroj këtë gjë mirë, por nuk ndihem si njeriu më i sjellshëm, as në fushën e futbollit as në jetën e përditshme, unë jam thjesht vetja. Nëse fitoj ose nëse humbi, gjithmonë tentoj ta jap më të mirën time në çdo garë. Kjo nuk është sepse jam i sjellshëm ose diçka tjetër. Jam thjesht vetja”.