​Industria e veshmbathjes mësyn tregut evropian

Prodhues kosovarë e investitorë të huaj janë takuar në konventën e Industrisë së Veshmbathjeve të Kosovës, e cila po shihet si një mundësi për krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe eksportimin e prodhimeve vendore.

Për të krijuar një bashkëpunim të tillë dhe për të ndihmuar njëkohësisht ekonominë kosovare, biznesmeni Ramush Hashani, i cili vepron në Francë ka zgjedhur vendlindjen e tij për të prodhuar brendin e tij të veshmbathjeve sportive.

E konventën e sotme, Hashani po e shfrytëzon për të vendosur kontakte me prodhuesit nga Kosova, me qëllim që produktet e tij të prodhohen në Kosovë në mënyrë që më pas të eksportohen në vendet e tjera.

Mundësinë për t’i takuar në një vend disa prodhues, Hashani e quan të mrekullueshme.

Për të njëjtin qëllim, në Kosovë ka ardhur edhe francezi Marc Pomarat, i cili  është shprehur shumë optimist se do të arrijë bashkëpunim me prodhues vendor.

Krahas investitorëve potencial që kishin ardhur nga jashtë, edhe përfaqësues të kompanive vendore kishin interesat e tyre për zgjerim të biznesit.

Kështu bashkëpronarja e kompanisë “In Design”, Veronika Bajçinovci, thotë se po kërkojnë treg të jashtëm për brendin e tyre “Infact”, derisa bënë të ditur se për këtë janë duke negociuar me tri vende evropiane.

Sipas saj, në Kosovë nuk është lehtë të prodhosh pasi që kompanitë shpeshherë prodhojnë edhe imitime, në vend se të kenë brendet e tyre.

Dizajneri i brendit “Infabric” të kompanisë në fjalë, Valon Keqekolla tregon rëndësinë që ka puna e një dizajneri në ofrimin e produkteve sa më unike.

Përfaqësuesja e KAMA-s, Lorika Tahiri, bëri të ditur se këtë vit janë 6 delegacione të cilat kanë ardhur për të parë nga afër produktet e prodhuara në Kosovë, si dhe të shqyrtojnë mundësitë për të bashkëpunuar.

Në një prononcim për KosovaPress, Tahiri ka folur edhe për rëndësinë e kësaj konvente, ku ka thënë se si e tillë, kjo e fundit ka dhënë rezultate konkrete.

E mbështetje për thellimin e bashkëpunimit në mes të kompanive prodhuese nga Kosova me investitorë të huaj ka dhënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë sot se Kosova ka krijuar infrastrukturë ligjore për t’i transferuar prodhimet në tregjet e huaja.

Ai ka stimuluar prodhuesit vendorë dhe investitorët e huaj që të prodhojnë në Kosovë, duke numëruar lehtësirat që ka Kosova për ata të cilët investojnë në vend, si: zero taksë në dividendë; tatimi në fitim është 10 përqind, më i vogli në regjion; tatimi në paga nuk shkon mbi 10 për qind; është taksë zero me shtetet e EU-së; transporti është më i liri i mundshëm dhe, nga e gjithë kjo është e sigurt që nga një produkt që prodhohet në Kosovë, do të mund të dalë dhe hyjë në treg të BE-së 30 deri në 40 për qind më lirë se një produkt i prodhuar diku tjetër në Evropë.

Ndryshe, Konventa e Veshmbathjeve të Kosovës organizohet çdo vit për t’i promovuar prodhuesit e veshmbathjeve të Kosovës dhe për ta mbështetur rritjen e industrisë së veshmbathjeve në Kosovë. /KosovaPress/