Ilir Dvorani

​Iliri që feston pavarësinë me kujtimet e torturave serbe dhe klithjet për drejtësi

Rruga e Kosovës deri të çlirimi dhe pavarësia të cilën e gëzojmë sot është e trasuar me gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve si dhe me kujtimet e atyre që iu mbijetuan torturave më çnjerëzore të forcave policore dhe ushtarake serbe.

Një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, kryer nga forcat serbe, është edhe ajo e 30 prillit në Qirez. E prej saj ka mbijetuar Ilir Dvorani i cili ende e ka të freskët të gjithë ngjarjen e asaj kohe.

Atë që i ka ndodhur atij dhe mbi 200 civilëve të tjerë të mbajtur peng nga serbët, ai e kishte ruajtur edhe në shënimin e një letre për çka pastaj ka dhënë dëshmi edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.

Ofensiva nga ushtria e policia serbe kishte nisur mëngjesin e hershëm të 30 prillit 1999 në fshatin Baks të Skenderajt. Aty, u zunë rob qindra civilë shqiptarë të cilët po bënin përpjekje të shpëtonin nga forcat serbe.

Këtë e dëshmon Ilir Dvorani, i mbijetuari i kësaj masakre, i cili po atë ditë kishte marrë edhe plagët e lirisë.

“Këtu ka pas edhe të vrarë, por edhe kemi qenë shumë të plagosur një prej tyre kam qenë i plagosur edhe unë në kraharorin e majtë në shpinë sepse kemi qenë të shtrirë përmbys dhe në shpatullën e këmbës së majtë… Njëri prej nesh të cilin nuk e kam njohur atë kohë është ngritur duke thënë që ‘mos gjuaj bombë se krejt jemi civilë’. Dhe na kanë detyruar me dal në rrugë t’i heqim rrobat e sipërme dhe t’i lidhim duart pas kokës të vazhdojmë rrugën me dal, kuptohet me maltretime, me goditje me kondak të pushkëve derisa jemi dal në rrugën kryesore”, rrëfen Dvorani.

Me maltretime të shumta vazhduan deri në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Baks ku forcat serbe kishin mbledhur qindra civilë nga fshatra të ndryshëm të Drenicës.

Ata i kishin dërguar në Xhaminë e Qirezit për t’i torturuar pastaj 24 orë pa ndërprerë. Në mesin e tyre kishte edhe fëmijë.

“Çka ka ndodh këtu ka qenë nën urdhrin e komandantit të tyre ‘Çarlit’, deri në momentin kur kanë ardhur njësitë e tjera të cilat kanë qenë Tigrat e Arkanit, Sheshelit ka pasur polici ushtarake… Forcat e tjera pas një ore përafërsisht kanë ardhur, këtu nuk ka pas lloj i uniformës Serbisë që nuk ka qenë aty. Na kanë detyruar rresht për dy me dal jashtë hala pa filluar me dal personi i parë kanë filluar maltretimet… Isha i plagosur në shpinë dhe në këmbë dhe nuk kisha më forcë, veç filloj që trupi mos të mund t’i përballojë torturat… Unë (Ilir Dvorani), Ramë Dvorani dhe Ismet Dvorani kemi pas fatin të mbijetojmë prej këtyre personave që unë i kam njohur”, vijon rrëfimin.

Të ndarë në grupe për t’u dërguar në vendin e njohur si “Shavarina”, nga okupatori serb gjejnë vdekjen mbi 100 civilë shqiptarë.

“Nga xhamia e Qirezit me kamionë na kanë transportuar deri në këtë vendin e quajtur te ‘Shavarinat’ ku në këtë vend janë vra mbi 100 persona të moshave të ndryshme, civilë të pafajshëm, të cilët janë zënë rob me 30 prill në fshatrat e Drenicës, Verbovcin në rrethinë… Ne kemi pas fatin që të vazhdojmë për Drenas kamioni ynë, por kamionët e tjerë janë pushkatuar, kemi dëgjuar krisma të ndryshme këtu”, shprehet ai.

Dvorani kishte shpëtuar nga pushkatimi në “Shavarina” por jo edhe nga maltretimet që iu bënë pastaj në stacionin policor në Drenas.

“Këtu (në Stacionin policor në Drenas) kemi qëndruar pesë ditë rresht, na kanë mbajtur këtu pa na dhanë me hëngër vetëm nganjëherë kemi pirë ujë edhe ketë sallën këtu brenda kemi qëndruar. Pas disa ditësh kanë sjellë edhe persona të tjerë të cilët janë zënë në ofensiva tjera. Këtu kemi pas maltretime të përditshme, maltretimi i llojeve që nuk ka mundësi njëri-njeriut me ja shkaktua ato. Ne i kemi përjetuar ato nga policia dhe ushtria serbe”, rrëfen ai.

Torturat nuk përfunduan në stacionin policor në Drenas, forcat serbe ushtruan dhunë mbi të edhe për dy muaj të tjerë në Vukovc, Krajkovë dhe Potorrk, fshatra këto në komunën e Drenasit.

“Njëri me kryesor nga ata ka qenë ‘Joza’, e kanë thirr çdo herë, ka qenë një ‘Koshanin’ tjetri që e ka bërë maltretimin me të madh të gjithëve ka qenë ‘Gullubi’ ashtu është thirr me siguri pseudonim, ka qenë ‘Milinko’. Në vendin ku ne kemi qëndruar që kemi fjet aty çdo herë, nuk kanë na kanë lejuar të zbathemi. Kemi fjet ashtu qysh kemi qenë, era gjak që ishim me rroba të gjakosura ndoshta me dy javë pa i ndërruar, kur i kemi zbath këpucët na u kanë hequr edhe me pjesën e trupit… Na mbajtën deri në momentin kur u krye lufta”, vijon ai me rrëfimin.

Pas ndërhyrjes së NATO-s me 14 qershor të vitit 1999 arrijnë të lirohen nga vendi ku u torturuan nga forcat serbe.

Mes lotësh, Dvorani rrëfen edhe kohën kur ishte kthyer në shtëpi, për çka thotë se mezi e kishin njohur familjarët e tij për shkak të maltretimeve që i ishin bërë.

Prej të gjitha torturat që i ka përjetuar ai dhe civilët e tjerë, Dvorani ka dhënë dëshmi për Tribunalin e Hagës dhe hetuesit e EULEX-it.

“Si viktimë e dhunës dhe torturës e luftës të fundit në Kosovë dëshmitë e mija i kam dhënë edhe për hetuesit e Tribunalit të Hagës në vitin ‘99-2000 në stacionin e policisë në Drenas në zyrat e tyre. Para disa viteve pesë apo gjashtë vite kam dhënë edhe një deklaratë për EULEX-in për hetuesit krime lufte që janë bërë në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe. Besoj dhe kisha lut institucionet që le të bëjnë më shumë në këtë drejtim dëshmitarët dita ditës po pakësohen, dëshmitë e luftës janë të nevojshme ka dëshmi të bollshme, le t’i ftojnë dëshmitarët se nuk janë zbeh akoma, ne i kemi të freskëta sikur të ndodheshin sot kemi çka të tregojmë, kemi çka të japim dhe mos të na kursejnë në asnjë mënyrë për drejtësi”, shprehet ai.