Problem

​Ibrahimovic: Mourinho nuk është problemi në Man United

Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimovic, beson se trajneri Jose Mourinho mund ta fitojë titullin e Premierligës me Manchester Unitedit, megjithatë ka thënë se portugezi nuk mund të bëjë mrekulli me një skuadër që nuk performon mirë.

E ardhmja e Mourinhos në pozitën e trajnerit në Old Trafford është vënë në pikëpyetje gjatë kohës së fundit për shkak të rezultateve jo të mira që ka marrë kohët e fundit, si dhe dyshohet se nuk e ka më besimin e lojtarëve, transmeton Gazeta Express.

Portugezi ka nënshkruar kontratë të re me “Djajtë e kuq” në janar, dhe përkundër spekulimeve se ai mund të shkarkohet nga puna, ende nuk ka pasur asnjë lajm zyrtar. Për më tepër, Mourinho do të takohet gjatë kësaj jave me drejtorin ekzekutiv, Ed Woodward.

Ibrahimovici beson se vendimi i duhur është të mos e shkarkojnë portugezin, pasi që ai e ka dëshmuar se është fitues dhe skuadra e tij është duke e zhgënjyer me performancat në ndeshje.

“Mendoj se ai mund ta fitojë titullin e Premierligës. Mendoj se ai është trajneri i duhur për këtë klub, për këtë skuadër. Por, një trajner mund të jetë vetëm po aq i mirë sa skuadra e tij, kështu që ai nuk mund të bëjë mrekulli me një skuadër që nuk është mjaftueshëm e mirë”, ka thënë ish-sulmuesi i Manchester Unitedit.

“Mendoj se skuadra është e mirë, është duke u përmirësuar vazhdimisht. Ky është viti i tij i tretë, lojtarët e dinë tani më mirë mënyrën se si trajneri dëshiron që ata të luajnë”.

Manchester Unitedi radhitet në pozitën e tetë në Premierligë, dhe deri më tani i ka fituar vetëm gjysmën e ndeshjeve të zhvilluara.