Zëvendëskryeministri

​Hoxhaj: Ushtria do ta bëjnë Kosovën eksportues të sigurisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për Vision Plus në Tiranë, ka folur për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur. Ky institucion, tha Hoxhaj, do ta shndërrojë Kosovën nga konsumues, në eksportues të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Hoxhaj tha se Forcat e Armatosura të Kosovës, si institucion, si filozofi, si praktikë dhe si pajisje janë ndërtuar nga NATO-ja. Theksoi se FAK do ta ketë mbështetjen e shteteve kyqe anëtare të NATO-së në procesin e zhvillimit dhe kompletimit të mëtutjeshëm të këtij institucioni.

Hoxhaj theksoi se pas ndërmarrjes së hapit për transformimin e FSK-së, Kosova do të punojë për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) në kuadër të NATO-së.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se Forcat e Armatosura të Kosovës do ta kenë një histori tipike dhe realitet të veçantë në Ballkan.

“Ne duam të bëhemi pjesë e NATO-së, por në të njëjtën kohë, duam që KFOR’i të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe ta kemi një bashkëpunim të ngushtë”, ka thënë Hoxhaj.