SHBA

​Hillary Clinton: Antony Blinken (miku i Kosovës) do të jetë një sekretar tepër efikas i Shtetit

Ish-kandidatja për president të SHBA-së Hillary Clinton tha sonte se administrata e ardhshme e Joe Biden ka zgjedhur stafin më të mirë për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare.

“Tony Blinken është një nëpunës publik i përkushtuar i cili do të jetë një sekretar i Shtetit tepër efikas,” shkroi Clinton në një postim në llogarinë e saj në Twitter.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden dhe zëvendës presidentja e zgjedhur, Kamala Harris kanë publikuar sot emrat e anëtarëve të kabinetit të tyre për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare.

Antony Blinken është nominuar për sekretar Shteti, Alejandro Mayorkas, sekretar i Sigurisë Kombëtare, Avril Haines, drejtor i Inteligjencës Kombëtare, Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, John Kerry, i dërguari special i presidentit për Klimën.

Biden tha se ekipi i tij do të rikonfirmojë lidershipin amerikan në skenën globale pas përpjekjeve të Donald Trump për të ndërprerë diplomacinë shumëpalëshe dhe për të shkatërruar paktet e brishta si marrëveshja bërthamore e Iranit.

“Këta individë janë po aq me përvojë dhe të testuar nga krizat, sa janë inovativë dhe imagjinatë. Arritjet e tyre në diplomaci janë të pakonkurrueshme, por ato gjithashtu pasqyrojnë idenë se ne nuk mund të përmbushim sfidat e thella të këtij momenti të ri me të menduarit e vjetër dhe zakone të pandryshuara. Kjo është arsyeja pse unë i kam zgjedhur ata,” tha Biden.

Se sa e njeh Kosovën dhe problemet e saj, Blinken ka treguar edhe kur nuk ka qenë në ndonjë pozitë shumë të rëndësishme në SHBA. Për shembull, në nëntor të vitit 2015, ai ishte takuar me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin, për t’i dhënë mbështetje fushatës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

“Krenar për ta përcjellë bindjen tonë të fortë se Kosova duhet të mirëpritet nga UNESCO Konferenca e Përgjithshme si anëtare e plotë”, kishte shkruar Blinken.

Në vitin pasues, ai i ishte gëzuar suksesit të xhudistes kosovare Majlinda Kelmendi, që e kishte fituar medaljen e artë në lojërat olimpike në Rio.

“Në lojërat e tyre të parë Olimpike, urime për Kosovo për fitimin e të artës në xhudo në Rio2016”, kishte shkruar Blinken.