Giuly

​“Hazardi ose Mbappe i nevojitet Real Madridit për të dalë nga kriza”

Ish-lojtari i Barcelonës, Ludovic Giuly, beson se largimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi është shkaktari i paraqitjeve të dobëta të madrilenëve këtë sezon. Por, sipas tij, kjo gjë mund të rregullohet me transferimin e Eden Hazardit të Chelseat ose Kylian Mbappe të Paris Saint-Germainit.

Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës, kur iu bashkua skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Ai u largua pasi që triumfoi përsëri në Ligën e Kampionëve për të tretën herë radhazi me “Los Blancos”.

Drejtuesit e Real Madridit nuk e panë të nevojshme ta transferojnë një lojtar për ta zëvendësuar Ronaldon, i cili kishte arritur t’i shënonte 450 gola në 438 ndeshje për ish-klubin e tij. Trajneri Julen Lopetegui dhe presidenti Florentino Perez insistuan se kanë besim në lojtarët që kanë në skuadër.

Megjithatë, ky vendim po rezulton të jetë i gabuar pasi që Real Madridi është duke e pasur mjaft të vështirë të shënojë gola këtë sezon. Ata thyen rekordin për më së shumti minuta të kaluar pa shënuar asnjë gol.

Për më tepër, ata kanë arritur të sigurojnë fitore vetëm në një nga gjashtë ndeshjet e fundit, në katër prej të cilave kanë pësuar humbje. Gjatë këtyre gjashtë ndeshjeve, Real Madridi arriti t’i shënojë vetëm tre gol, ndërsa pranoi gjithsej tetë.

“Real Madridi e humbi trajnerin [Zinedine Zidane], i cili arriti ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve tri herë radhazi. Real Madridi e humbi lojtarin më të mirë dhe më të rëndësishëm. Këto janë ciklet e jetës, nganjëherë zëvendësimi është i vështirë”, ka thënë Giuly.

“Real Madridi nuk e ka një futbollist të ngjashëm me Ronaldon në skuadër. Ata nuk e zëvendësuan atë. Ky lojtar i ngjashëm me të mund të kishte qenë Hazardi ose Mbappe dhe mendoj se edhe ata e dinë këtë gjë tani”.