Komuna e Prishtinës

​Hapja graduale s’do të thotë se do të ketë lehtësim të masave mbrojtëse kundër COVID-19

Komuna e Prishtinës, një ditë para fillimit të fazës së dytë të masave lehtësuese kundër COVID-19, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me respektimin e udhëzimeve të institucioneve shëndetësore.

Faza e dytë e lehtësimeve të lëvizjes dhe hapjes graduale po fillon nga nesër. Por kjo nuk do të thotë lehtësim i masave mbrojtëse, sepse pandemia COVID-19 nuk ka përfunduar ende. Andaj, të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në zbatimin e të gjitha udhëzimeve të IKSHP-së lidhur me koronavirus, thuhet në njoftim.

Në fazën e dytë qytetarët do të mund të lëvizin katër orë në ditë, një më shumë se në fazën e kaluar.

Gjatë kësaj periudhe do të nisë edhe transporti urban dhe ndër-urban, transporti hekurudhor, si dhe do të bëhet hapja e gastronomisë (merr me vete porosinë), galeritë, muzetë, qendrat e thirrjeve telefonike, fizioterapeutët, floktarët, sallonet e ondulimit dhe stomatologët.

Kosova ka 978 raste me koronavirus, prej tyre 713 të shëruar dhe 29 raste me përfundim fatal.