Griezmann tregon kënd i’a kujton Mbappe
Ylli francez i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, ka thënë se bashkëkombësi i tij në Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, ia kujton atij yllin portugez, Cristiano Ronaldon, gjatë kohës që ky i fundit luante për Manchester Unitedin.
Disa orë pasi u publikua lista e plotë e 30 lojtarëve të nominuar për “Topin e Artë”, revista e famshme France Football e ka publikuar edhe një intervistë me Antoine Griezmannin, i cili është një ndër futbollistët e nominuar për këtë çmim, përcjell Gazeta Express.
Ndër të tjerash, Griezmann diskutoi edhe për talentin e ri francez, Kylian Mbappe, i cili është duke i mahnitur të gjithë me aftësitë e tij. Ylli i Atleticos foli për ngjashmëritë mes 19-vjeçarit dhe pesë herë fituesit të Topit të Artë, Cristiano Ronaldo.
“Mbappe ma kujton mua Ronaldon kur ishte në Manchester United. Ronaldo ishte lloji i lojtarit të cilit i pëlqen të driblojë, megjithatë nuk ishte lakmitar. Kur Kylian të ketë mbështetje si ajo që e kishte Ronaldo në Madrid, atëherë mund të thuash se ai do të shënojë 50 gola”, ka thënë Griezmann.
Gjatë kësaj interviste, Griezmann edhe foli për shpresat e tij për ta fituar çmimin “Topi i Artë”, duke thënë se fituesi i këtij çmimi duhet të jetë francez pas triumfit të Kombëtares së Francës në Kupën e Botës.
“Ne jemi bërë kampionët e botës, jemi pjesë e skuadrës më të mirë të botës, kështu që lojtari më i mirë duhet të jetë i skuadrës më të mirë në botë. Kështu mendoj unë, të paktën”, është shprehur francezi.
“Mendoj se një francez duhet ta fitojë Topin e Artë. Kjo është një ëndërr për mua. Historikisht, çmimi është për më të mirin e të mirëve. Do të ishte një ëndërr për mua që të isha në të njëjtën listë me lojtarët e mrekullueshëm që e kanë fituar këtë çmim më herët”.