Ylli i Barcelonës

​Gola, asiste, driblime, pasime, shanse të krijuara… Messi dominon në çdo kategori

Tani që ka përfunduar pjesa e parë e sezonit për tri nga pesë ligat e mëdha të Evropës, janë publikuar statistikat për futbollistët që kanë ndikuar më së shumti në skuadrën e veta në ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Futbollisti i cili e dominon secilën kategori është ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, i cili ka pasur më së shumti ndikim te klubi i tij përmes angazhimit të tij gjatë ndeshjeve.

Argjentinasi është golashënuesi më i mirë deri tani në këtë sezon, me gjithsej 15 gola të shënuara gjatë 30 ndeshjeve që i ka luajtur. Pas tij radhiten Krzsysztof Piatek i Genoas me 14 gola dhe Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit me 13 gola.

Messi ka arritur të bëjë edhe më së shumti asiste, driblime, pasime, gola nga jashtë zona e portierit, gola nga gjuajtjet e lira, si dhe arriti të krijojë më së shumti raste të mira për të shënuar gol për skuadrën e tij.

Këto statistika bëhen edhe më mbresëlënëse kur theksohet se argjentinasi kishte qenë i lënduar për tri javë gjatë këtij sezoni. Ai e pësoi një lëndim në krahun e tij të djathtë në ndeshjen kundër Sevillës, më 20 tetor të këtij viti.

Messi është lënë jashtë podiumit në garën për Topin e Artë këtë vit, pasi që u radhit vetëm në pozitën e pestë. Çmimin e fitoi Luka Modric, ndërsa pas tij ishin Cristiano Ronaldo, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe.