Pejë

​Gjetja e vajzave që u raportuan të zhdukura, Prokuroria e Pejës: Po hetohet nëse ka elemente të veprës penale

Në orët e hershme të së shtunës, janë gjetur dy vajzat të cilat ishin raportuar të zhdukura nga familjarët e tyre një javë më parë në Pejë.

Nga Prokuroria Themelore në Pejë, kanë deklaruar për Telegrafin se të njëjtat janë shëndosh e mirë dhe se kanë deklaruar që nuk kanë qenë nën presion, kërcënim apo detyrim nga ndokush gjatë kohës sa kanë qenë të paqasshme.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime se mos ka ndonjë element të veprës penale të rastit në përgjithësi.

“Vajzat janë kthyer mbrëmë shëndosh e mirë dhe janë lajmëruar në stacionin policor të Pejës. Të njëjtat kanë deklaruar se nuk kanë qenë nën presionin apo kërcënimin dhe detyrimin e ndonjë personit gjatë kohës sa kanë qenë të pa qasshme”.

“Ajo çfarë mund të konfirmoj është se Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë veprime se mos ka ndonjë elemente të veprës penale të rastit në përgjithësi”, ka deklaruar Nikçi.

Ndryshe, për rastin është deklaruar të shtunën edhe Policia e Kosovës. Në njoftimin zyrtar thuhet se vajzat kanë deklaruar se janë larguar me dëshirë dhe se nuk dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Ato kishin qëndruar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Qungur të komunës së Pejës.

Të njëjtat bëhet e ditur se janë dërguar në Stacionin Policor në Pejë, nga një qytetar të cilin e kanë ndaluar në rrugë.

Gjithashtu, thuhet se vajzat janë kontrolluar nga mjeku kujdestar, ndërsa në bashkëpunim me zyrtarin për punë sociale janë sistemuar në një shtëpi të sigurtë.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit, gjithashtu edhe zyrtari për punë sociale. Pas intervistimit tё viktimave nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime DRP –Pejё, të njëjtat deklarojnë se nuk dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe në bashkëpunim me zyrtarin për punë sociale dy vajzat janë sistemuar në shtëpinë e sigurt”, thuhet në njoftim.

Të dy vajzat janë studente dhe kanë lidhje familjare (vajzë daje – halle), ndërkaq për zhdukjen e tyre Policia e Kosovës ka raportuar më 25 shtator. /Telegrafi/