Trajneri Realit

​Emery: Lopetegui mund të triumfojë në Real Madrid edhe pa Ronaldon

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui, mund ta gjejë balancën e skuadrës së tij edhe pa yllin portugez, Cristiano Ronaldo. Sipas Emerys, e gjitha që i nevojitet Lopeteguit është durimi.

Golashënuesi më i mirë i skuadrës, Cristiano Ronaldo, u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pas shitjes së tij, klubi madrilen nuk e konsideroi si të nevojshme ta transferonte një lojtar për ta zëvendësuar Ronaldon. Ky vendim tani po rezulton të jetë i gabuar pasi që Real Madridi nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në katër ndeshjet e fundit.

Tri nga këto katër ndeshje, Real Madridi ka pësuar humbje, përfshirë këtu edhe disfatën në La Liga me rezultat 1-0 kundër Deportivo Alavesit. Këto tre pikë të humbura e kanë shtuar edhe më shumë presionin mbi trajnerin e skuadrës, Julen Lopetegui.

Megjithatë, Emery është i sigurt se Lopetegui, i cili e zëvendësoi Zinedine Zidanen si trajner i Real Madridi në fillim të këtij sezoni, mund ta rikthejë në formë skuadrën e tij, por vetëm i nevojitet pak më shumë durim.

“Real Madridi duhet ta gjejë balancën pa Ronaldon dhe ata duhet të përshtaten më këtë gjë. Megjithatë, mendoj se Julen mund ta bëjë këtë”, ka thënë Emery, i cili po ashtu e ka marrë pozitën e trajnerit në një skuadër të re, Arsenal, duke e zëvendësuar Arsene Wengerin.

“Ne nuk mund të përgjigjemi për Lopeteguin, por kur kjo gjë më ndodhë mua, unë vetëm tentoj të qëndroj i qetë dhe të kem durim, por është e vështirë të kërkosh durim në futboll. Jam i sigurt se golat do të cijnë për Lopeteguin”.

Edhe kapiteni i Real Madridi, Sergio Ramos, i ka dalë në mbrojtje trajnerit të tij, duke thënë se do të ishte çmenduri nëse klubi vendosë ta shkarkojë Lopeteguin. Megjithatë, tanimë është raportuar se spanjolli ka kohë deri në tetor, në ndeshjen e El Clasicos, për ta përmirësuar formën e skuadrës.