Eksporti

​Eksporti mbulon importin me 13.6% në muajin shkurt

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt të këtij viti, ku thuhet eksporti i mallrave në muajin shkurt kishte vlerën 35.9 milionë euro, ndërsa importi 263.3 milionë euro, që është një rritje prej 49.4% për eksport, si dhe 13.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Sipas ASK-së, të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 9.0% në muajin shkurt 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 227.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 208.6 milionë euro në vitin 2019.

“Eksporti mbulon importin me 13.6%. Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2020 kishte vlerën 35.9 milionë euro, ndërsa importi 263.3 milionë Euro, që është një rritje prej 49.4% për eksport, si dhe 13.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 48.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.0% e përbëjnë produktet minerale, etj.Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.2% e përbëjnë produktet minerale; 12.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.4% e përbëjnë produktet bimore, etj. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë Euro, ose rreth 34.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 46.8%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.6%), Italia (5.5%), Suedia (4.3%), Holanda (3.9%), Britani e Madhe (3.6%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 137.4 milionë Euro, ose 52.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 18.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.3%), Italia (5.3%), Sllovenia (4.9%), Greqia (4.4%), Bullgaria (3.6%), Kroacia (3.3%), etj”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, në muajin shkurt 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.1 milionë euro, ose 50.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 54.7%.

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (33.0%), Maqedonia (8.8%), Serbia (4.7%), dhe Mali i Zi (2.2%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2020, arri tën në 28.7 milionë Euro, ose 10.9% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-13.6%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (5.8%), Shqipëria (4.3%), dhe Serbia (0.2%). Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5.4 milionë Euro, ose 15.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (8.5%), dhe Turqia (3.3%)”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 97.2 milionë euro, ose 36.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 11.2% dhe Kina me 10.3%.