finalja

​Deputetët thonë se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje të Kosovës

Tryeza e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën ‘Çfarë paralajmëron faza e re e dialogut në Kosovë’, që u mbajt sot në Mitrovicë, mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, e mes tyre edhe qytetarë.

Deputetët deklaruan se pa njohjen e vendit tonë, nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se në dialog me Serbinë, Kosova ka humbur që nga fillimi.

Ai përsëriti se rezultati më negativ nga negociatat me Serbinë është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e quajti projekt i rrezikshëm për Kosovën.

Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate, duke folur për paralajmërimin e fazës së re të dialogut, tha se për palën kosovare, faza finale nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia.

Për shefin e Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetin Ahmet Isufi, baza mbi të cilën duhet të vazhdohet me dialogun është rezoluta e aprovuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, duke komentuar deklaratat e Federica Mogherinit, tha se përfaqësuesja e BE-së ka konsideruar se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës tashmë ka marrë rrugë.
Sipas tij, Kosova për herë të parë do të dalë me një ofertë, në dialogun me Serbinë. E kjo tha se po mundësohet falë rezolutës së miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, ku u votuan emrat për përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Albert Kinolli, shef i Grupit Parlamentar të 6 plus, tha se duhet të ketë unitet, dhe procesi i dialogut mos të jetë i varur nga një person i vetëm.

E qytetarët kërkuan më shumë informacione edhe lidhur me përbërjen dhe funksionimin e ekipit negociator, posaçërisht në raport me rolin e presidentit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës deklaruan në fund se platforma mbi dialogun do të bëhet në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe me qytetarët e vendit.