Raporti

​COVID-19 në Shqipëri, 8 të vdekur në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 2198 testime, nga të cilat 510 persona kanë rezultuar pozitivë.

Në 24 orët e fundit, kanë ndërruar jetë edhe 8 persona, ndërkohë janë shëruar 477 persona.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 224 raste në Tiranë, 40 në Fier, 35 në Durrës, 22 në Shkodër, 21 në Vlorë, 16 në Mirditë, nga 12 raste në Elbasan, Lezhë, nga 10 raste në Kamëz, Peqin, nga 9 raste në Kavajë, Berat, Kuçovë, 8 në Krujë, 7 në Lushnje, nga 6 raste në Librazhd, Sarandë, etj.

Aktualisht, në 4 spitalet COVID, po trajtohen 346 pacientë, 21 në terapi intensive nga të cilët 13 pacientë janë të intubuar.

Betejën me sëmundjen e kanë humbur 8 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 3 qytetar nga Tirana, 2 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetare nga Berati, 1 qytetar nga Tropoja, të moshave 57-78 vjeç.

Ndryshe, nga sot hyjnë në fuqi masat e reja të miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që kanë të bëjnë me kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30- 06:00 të mëngjesit duke filluar nga data 24 dhjetor – 4 janar. Përjashtim bëhet për rastet emergjence apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.

Po ashtu, kufizohen aktivitetet e bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00 duke filluar nga data 24 dhjetor deri më 4 janar 2021.