Strategu

​Conte, në pritje të shkarkimit të Lopeteguit

Ish-trajneri i Chelseat, Antonio Conte, është pretendenti kryesor për ta marrë pozitën e trajnerit të Real Madridit në vend të Julen Lopeteguit. Madje, raportohet se presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, e kishte kontaktuar italian qysh në ditët e para të tetorit.

Skuadra e Julen Lopeteguit është duke kaluar në një formë të keqe, tanimë ata kanë shkuar pesë ndeshje pa asnjë fitore. Dje, ata e vazhduan këtë rekord negativ, duke pësuar disfatë edhe nga Levante me rezultat 1-2, transmeton Gazeta Express.

Po ashtu Real Madridi e shënoi rekordin e tmerrshëm duke mos shënuar gol në 481 minuta, për herë të parë në histori të klubit, këtë kohëzgjatje e përfundoi Marcelo, i cili e shëno golin e vetëm për skuadrën e tij.

Lopetegui ka insistuar se mundësia e shkarkimit është gjëja e fundit në mendjen e tij, mirëpo emërimi i Contes në këtë pozitë tani është shumë i mundur dhe raportohet se bisedimet mes dy palëve veçse kanë filluar.

Chelsea dëshiron që kjo gjë të ndodhë sa më shpejtë që është e mundur, pasi që kjo do të thoshte se do t’i jepte fund betejës ligjore mes klubit dhe Contes. Ky i fundit e kishte paditur klubin pasi që ata e kishin shkarkuar shumë vonë nga pozita e trajnerit, duke ia pamundësuar atij të gjejë një klub të ri.

Sipas të përditshmes spanjolle, El Pais, Real Madridi e kishte kontaktuar Conten më 2 tetor, menjëherë pas disfatës kundër CSKA Moscowit në Ligën e Kampionëve.