Chelsea rikthehet te fitorja, e mposht skuadrën e fundit në ligë
Chelsea i është kthyer përsëri fitoreve sot, duke e mposhtur skuadrën e fundit në Premierligë, Fulhamin, me rezultat 2-0 në Stamford Bridge.
Skuadra e Maurizio Sarrit e dominoi këtë ndeshje, me plot 15 raste të krijuara, nëntë prej të cilëve ishin brenda kuadratit të portës. Chelsea e dominoi ndeshjen edhe me posedim të topit gjatë ndeshjes, shkruan Gazeta Express.
Të kaltërve të Londrës iu mjaftuan vetëm katër minuta për ta shënuar golin e parë të ndeshjes. Pedro e shënoi golin e parë të ndeshjes, të cilin e asistoi mesfushori i cili është kritikuar mjaft shumë nga trajneri gjatë kohës së fundit, N’Golo Kante.
Afër përfundimit të ndeshjes, në minutën e 82-të, Ruben Loftus-Cheek arriti ta dyfishojë epërsinë ndaj Fulhamit. Për këtë gol asistoi ylli belg i skaudrës, Eden Hazard.
Tre pikët e kësaj ndeshje janë mjaft të rëndësishme për skuadrën e Sarrit, pasi që ata ngriten nga pozita e katërt në të tretë. Mirëpo, kjo gjë do të ndryshojë nëse Tottenhami fiton në ndeshjen kundër Arsenalit, që zhvillohet sot nga ora 15:05.
Ndërsa, disfata e thellon edhe më shumë në krizë skuadrën e cila pozicionohet në fund të tabelës së Premierligës, Fulhamin. Kjo skuadër i ka humbur dhjetë nga gjithsej 14 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.
Në ndeshjen e radhës, Chelsea do të përballet me Wolves. Këto dy skuadra do të takohen të mërkurën për ndeshjen e vlefshme për Premierligë. Ndërsa, Fulhami e pret në shtëpi Leicester Cityn.