Futbolli në ishull

​“Boxing Day” në Premierligë vjen me ndeshje për të gjitha klubet e mëdha

Premierliga kthehet sot me 9 ndeshje në “Boxing Day”, traditë kjo e ligës angleze që nga vitet 1860-ta.

Gjatë viteve të fundit, në këtë ditë ka pasur shumë rezultate tronditëse për klubet e mëdha, të cilat janë duke u përgatitur për numrin e madh të ndeshjeve që kanë para vetes.

Manchester City është për momentin katër pikë larg liderit, Liverpoolit, dhe do t’i duhet t’i kthehet ecurisë së fitoreve në ndeshjen që zhvillohet sot kundër Leicesterit për t’i bërë më shumë presion skuadrës së Jurgen Kloppit.

Djelmoshat e Guardiolës nuk do ta kenë të lehtë ta bëjnë këtë gjë pasi që Leicesteri në xhiron e fundit e mposhti Chelsean me rezultat 1-0.

Lideri i Premierligës, Liverpooli, do ta presë Newcastle në Anfield në orën 16:00, kur do të tentojnë ta vazhdojnë ecurinë e pamposhtur të këtij sezoni në ligë, veçanërisht pasi që dy ndeshjet e ardhshme, kundër Arsenalit dhe Manchester Cityt, do të jenë mjaft të vështira.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi do të luajë për herë të parë në shtëpi, Old Trafford, me trajnerin e ri, Ole Gunnar Solskjaer. Norvegjezi kishte arritur të bënte një ndryshim të madh në skuadër në xhiron e kaluar dhe do të tentojë që këtë formë ta vazhdojë edhe kundër Huddersfieldit.

Arsenali do të udhëtojë në brigjet e jugut të Anglisë, për t’u ndeshur me Brightonin, të cilët do të tentojnë t’ia shkaktojnë skuadrës së Unai Emeryt disfatën e katërt për këtë sezon. Arsenali i dha fund ecurisë prej 22 ndeshjeve të pamposhtur në xhiron e kaluar, kur u mposht nga Southamptoni.

Watfordi ka arritur të qëndrojë i pamposhtur në tri ndeshjet e fundit të Premierligës dhe do të tentojë ta mposhtë Chelsea në ndeshjen që zhvillohet sot në Vickerage Road. Chelsea pësoi humbje në ndeshjen e fundit, për herë të parë që tetë muaj në shtëpi, kundër Leicesterit.