Miqtë

​Benzema tregon se çfarë i tha Ronaldos pas ndeshjes

Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema u takuan mbrëmë në stadiumin “Puskas Arena” të Budapestit, për ndeshjen mes Portugalisë dhe Francës, ku të dy ishin protagonistë me nga dy gola për kombëtaret e tyre.

Dy legjendat e futbollit evropian u ndanë me barazim 2:2 mbrëmë, ku edhe siguruan kualifikimin për në fazën e eliminatorëve.

Për Ronaldon ishte një natë rekordi, i cili shënoi dy herë nga pika e bardhë, kështu duke regjistruar 109 gola për kombëtaren, dhe duke e barazuar rekordin e Ali Daei të Iranit, si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në nivel kombëtaresh.

Po ashtu, edhe për Benzeman ishte një natë e veçantë, pasi që shënoi golat e parë për shtetin e tij në një periudhë prej gjashtë vitesh.

Pas ndeshjes, Ronaldo edhe Benzema u panë duke u larguar drejt zhveshtoreve së bashku, duke buzëqeshur dhe duke shkëmbyer disa fjalë, ku më pas sulmuesi francez u pyet nga gazetarët se çfarë kishin biseduar.

“Është mirë ta takoj përsëri atë, kemi kaluar kohë të gjatë së bashku. Të dy kemi luajtur tetë ose nëntë vite tek Real Madridi, shënuam gola, fituam trofe”, tha Benzema.

“Ne biseduam, i uruam njëri-tjetrit fat në të ardhmen me klubet tona dhe në Euro 2020, dhe veçanërisht të vazhdojmë me lojën e mirë në fushë, të bëjmë diferencën”, shtoi sulmuesi francez.

Franca dhe Portugalia siguruan kualifikimin për në fazën e grupeve në këtë Euro 2020, e po ashtu Gjermania ishte kombëtarja e tretë, e cila u kualifikua nga Grupi F, i njohur ndryshe edhe si “Grupi i Vdekjes”.

Videon e momentit mes Benzemas dhe Ronaldos e gjeni më poshtë.