Kryetari i PD-së

​Basha: Dilni votoni, është dita kudo të ndërtojmë një Shqipëri të shpresës

Kur kanë mbetur më pak se një orë nga mbyllja e qendrave të votimit, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike në Shqipëri, Lulëzim Basha edhe njëherë iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën për të votuar.

Basha thekson se sot është një ditë e mrekullueshme për demokracinë shqiptare dhe se në këtë ditë do të ndërtohet edhe një Shqipëri e shpresës dhe të ardhmes shqiptare.

“Kjo është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë tonë. Keni dhe një orë mundësi për të votuar. Një nuk keni votuar akoma merreni këtë mundësi, tani dilni nga shtëpitë tuaja votoni për fëmijët tuaj, për familjet tuaj për vendin tonë dhe për të ardhshmen e Shqipërisë. Nëse keni votuar i’u faleminderit, trokisni në një derë të dikujt që nuk ka votuar, merreni, kërkojeni të bëjë edhe ai detyrën ndaj fëmijëve dhe të ardhmes sonë të përbashkët, është një ditë e mrekullueshme për demokracinë shqiptare. Është dita ku të gjithë sëbashku do të ndërtojmë një Shqipëri të shpresës dhe të ardhmes për çdo shqiptar. Edhe një orë për të marrë fatin tonë në dorë, dilni masovisht dhe votoni”, tha Basha para gazetarëve.

Me të drejtë vote në Shqipëri janë 3,588,869 persona, ata do kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.