LAJMI I FUNDIT

​Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi e sfidojnë sërish UEFA-në për Superligën Evropiane

Juventusi, Barcelona dhe Real Madridi kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke konfirmuar angazhimin e tyre në projektin e Superligës evropian, pavarësisht se UEFA ndërmori masa disiplinore.

Këto janë të vetmet klube që nuk e kanë mohuar projektin pasi u njoftua dhe më pas u fundos brenda 48 orësh.

UEFA njoftoi dje se do të ndërmarrë veprime disiplinore kundër skuadrave, për të cilat raportet spanjolle sugjerojnë se mund të përfshijnë përjashtimin nga Liga e Kampionëve.

Këtë mbrëmje, klubet lëshuan një deklaratë të përbashkët duke përsëritur refuzimin e tyre për t’u tërhequr nga kjo iniciativë, përcjell KosovaPress.

“Barcelona, Juventusi dhe Real Madridi dëshirojnë të shprehin refuzimin e tyre absolut të detyrimit këmbëngulës që UEFA ka mbajtur ndaj tre prej institucioneve më të rëndësishme në historinë e futbollit.”

“Ky qëndrim alarmues përbën një shkelje flagrante të vendimit të gjykatave të drejtësisë, të cilat tashmë kanë bërë një deklaratë të qartë duke paralajmëruar UEFA-në që të përmbahet nga ndërmarrja e ndonjë veprimi që mund të penalizojë klubet themeluese të Superligës ndërsa procedurat ligjore janë duke vazhduar.”

“Prandaj, hapja e procedurave disiplinore nga UEFA është e pakuptueshme dhe është një sulm i drejtpërdrejtë kundër sundimit të ligjit që ne, qytetarët e Bashkimit Evropian, kemi ndërtuar në mënyrë demokratike, ndërsa përbën një mungesë respekti ndaj autoritetit të gjykatave dhe drejtësisë.”

“Që nga fillimi, Superliga është promovuar me qëllim të përmirësimit të situatës së futbollit Evropian, përmes dialogut të përhershëm me UEFA-në dhe me qëllimin për të rritur interesin për këtë sport dhe për t’u ofruar tifozëve shfaqjen më të mirë të mundshme. Ky objektiv duhet të arrihet në një kuadër të qëndrueshmërisë dhe solidaritetit, veçanërisht në një situatë të pasigurt ekonomike siç është ajo që po përjetojnë shumë klube në Evropë.”

“Në vend që të eksplorojmë mënyrat e modernizimit të futbollit përmes dialogut të hapur, UEFA pret që ne të tërheqim procedurat gjyqësore në vazhdim që vënë në dyshim monopolin e tyre mbi futbollin evropian. Barcelona, Juventus dhe Real Madrid, të gjithë më shumë se një shekull të vjetër, nuk do të pranojnë asnjë formë shtrëngimi apo presioni të patolerueshëm, ndërsa ata mbeten të fortë në gatishmërinë e tyre për të debatuar, me respekt dhe përmes dialogut, zgjidhjet urgjente që aktualisht i duhen futbollit.”

“Ose ne e reformojmë futbollin ose do të duhet të shohim rënien e tij të pashmangshme., thuhet në fund të reagimit të përbashkët të këtyre tri klubeve të mëdha.