transferet

​Babai i yllit të Ajaxit: Transferimi në Barcelonë, opsioni më i mirë

Babai i ylli të Ajaxit, Frenkie De Jongut, beson se transferimi në Barcelonë do të ishte vendimi më i mirë për të birin e tij, përkundër interesimit të madh nga shumë klube të tjera nga e gjithë Evropa.
Gjatë javës së kaluar, në Holandë u raportua se tanimë ishte arritur një marrëveshje mes Ajaxit dhe Paris Saint-Germainit për transferimin e De Jongut gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme.

Megjithatë, këto lajme rezultuan të mos jenë të vërteta dhe John De Jong beson se lëvizja më e mençur për të birin e tij do të ishte transferimi në Barcelonë, pasi që edhe kampioni spanjoll ka shprehur mjaft shumë interesim për holandezin.

“Ai do të duhet të vendos për veten e tij, mirëpo ai është një djalosh shumë i mençur dhe do ta marrë vendimin e tij në pranverë”, ka thënë babai i yllit të talentuar holandez.

“Ka 95 përqind mundësi që ai do të largohet nga Ajaxi gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme dhe unë mendoj se vendimi më i mirë do të ishte transferimi në Barcelonë”.

Përveç PSG-së dhe Barcelonës, edhe Manchester City dhe Bayern Munichu kanë shprehur interesim për De Jongun, mirëpo pas deklaratave të babait të tij duket se trajneri Ernesto Valverde ka më shumë mundësi të punojë me të sezonin e ardhshëm.