Fushë Kosovë

​Arrestohen dy persona për vjedhje, në kërkim i dyshuari i tretë. U kapën duke ia marrë katalizatorin veturës

Sot nga hetuesit policor të Fushë Kosovës, janë arrestuar në flagrancë, dy persona të dyshuar për vjedhje të rëndë.

Aksioni i hetuesve është realizuar në rrugën “Abedin Sogojeva” në Fushë Kosovë, saktësisht në një parking, ku personat e dyshuar po tentonin që të merrnin pjesë (katalizatorin) nga një veturë.

Ka qenë reagimi i shpejtë i policisë në rroba civile ai që ka rezultuar me arrestimin e personave të dyshuar:

• M. N, mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, (i përfshirë si i dyshuar në 35 vepra)

• F. N, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,(i përfshirë si i dyshuar në 19 vepra , kryesisht vjedhje të rënda, vjedhje).

Personat e dyshuar, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që policia ka identifikuar edhe të dyshuarin e tretë;

M. V, mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili aktualisht është në arrati.

Hetuesit policor kanë filluar procedurat e nevojshme policore ndaj të arrestuarve, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të veprave të natyrës së njëjtë.