Gjykata Themelore

​Aborton e mitura – një muaj arrest shtëpiak për gjinekologun

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditë të pandehurit A. G., pasi dyshohet se në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij, ka kryer abortin e një të miture.

Ai me këtë rast i kishte diktuar të dëmtuarës se çfarë të shkruajë në deklaratën e saj për dhënien e pëlqimit për kryerjen e abortit.

Gjithashtu i pandehuri gjatë kontrollit të dëmtuarës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit.

Me këto veprime i pandehuri A.G. dyshohet se ka kryer veprat penale ndërprerja e shtatzënisë dhe moslajmërimi i veprave penale dhe kryerësve të tyre.

Fillimisht kërkesa e prokurorit ka qenë për caktimin e masës së paraburgimit, por pas dëgjimit të deklaratës së të pandehurit dhe të mbrojtësit të tij, ka kërkuar që të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që i njëjti i ka premtuar Gjykatës që nuk do të ndikojë në dëshmitarë.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, më 29 shtator gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë dhunuar të miturën.