Ankesat

​AAK inkurajon organet e drejtësisë, Selmanaj: Ai që ka keqpërdorë votën të dënohet

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me rekomandim të Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR), është marrë vendim që të rinumërohen për herë të dytë votat në shtatë kuti votimi, ku ka marrë pjesë komisioneri i apostrofuar në videon ku pretendohej se bëheshin vota në favor të kandidates për deputete të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Meliza Haradinaj.

Ndërsa, anëtari i AAK-së në KQZ ka inkurajuar organet drejtësisë që të ndëshkojnë keqpërdoruesit e mundshëm të votave të kësaj partie.

Rinumërimi për këtë rast sot do të bëhet me prezencë të prokurorisë së shtetit dhe policisë hetuese.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka theksoi se e kanë obligim që t’i implementojnë të gjitha vendimet e PZAP-së. Kështu sipas saj, KQZ merr vendim që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat janë aprovuar për rinumërim nga ana e PZAP-së.

“Që ta sqarojmë edhe për publikun, janë këto vendvotime për të cilat ne tani do të vendosim sipas vendimeve të PZAP-së që të rinumërohen ato vota që janë adresuar sipas ankesave të kandidatëve të caktuar. Po ashtu vendimi për rinumërimin e votave të kandidatëve të subjektit AAK, për votat të cilat kanë ardhur me postë dhe me kusht, janë vendim i PZAP-së dhe kanë të bëjnë me këtë rastin i cili tashmë është duke u përfolur për media”, tha Daka.

Kryetarja Daka theksoi se nga evidenca, rezulton se personi në fjalë ka qenë i angazhuar në numërimin e disa votave me kusht dhe atyre me postë, siç tha ajo për të hequr të gjitha dilemat, KQZ mbështet rekomandimin e QNR-së për të rinumëruar edhe 7 vendvotime gjatë numërimit të të cilave ka qenë i angazhuar personi që përmendet në videon e transmetuar nga mediat.

“Ndërsa sa i përket rekomandimit, që bëhet fjalë për shtatë kuti të cilat janë rinumërua dhe ku ka qenë prezent personi i cili apostrofohet në media lidhur me rastin që për disa ditë qarkullon në media. Dhe ne për të hequr çfarë do lloj dyshimi dhe për ta qartësuar situatën, kemi rekomandimin e QNR-së që edhe ato kuti ku ka qenë prezent ky person të rinumërohen pavarësisht se a ka ndonjë gabim apo jo”, tha ajo.

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së tha se sot pritet të nis rinumërimi në orën 16:00 dhe do të jenë të pranishëm në rinumërim edhe prokuroria e shtetit.

“Për informatën e të gjithëve sot fillon procesi i rinumërimit të gjithë atyre fletëvotimeve, votave me kushte dhe votave me postë në QNR. Sigurisht që do të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës edhe prokuroria e shtetit dhe policia hetuese”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga AAK Ibrahim Selmanaj ka inkurajuar organet e drejtësisë që të dënohet personi që mund të ketë manipuluar votat e kandidatëve të AAK-së.

“Meqenëse jemi në temën e rinumërimit dhe kemi përcjell me shqetësim këto deklarime të fundit të videove dhe formave të tjera të manipulimit ose tendencës së manipulimit. Është një shqetësim i subjektit tim politik të Aleancës në të njëjtën kohë si përfaqësues i KQZ-së kam edhe unë shqetësimin tim dhe inkurajoj edhe organet e drejtësisë por edhe të gjithë mekanizmit tjerë që cilido qoftë ai që ka tentuar të manipuloj, por edhe ka bërë manipulim (supozim), organet e drejtësisë do të kenë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit tonë që drejtësia të shkoi në vend dhe vota të mos manipulohet. Ai që e ka keqpërdorë duhet të dënohet, të gjykohet dhe të dihet saktë kush është pse është dhe si e ka bërë”, tha Selmanaj.

Në anën tjetër, nga QNR është bërë e ditur se rinumërimi do të fillojë sot pasdite në orën 16:00. Nga QNR-ja është njoftuar se 40 vëzhgues për një subjekt politik kanë të drejtë të vëzhgojnë. PZAP ka marrë vendim për rinumërim të këtyre votave, pas apelit të bërë nga kandidatja e AAK-së, Florentina Gjergjaj.