lëndët

​9 mijë lëndë priten të procedohen në Gjykatën Komerciale

Të gjitha problematikat biznesore të deponuara në Gjykatat Themelore të Kosovës do të kalojnë në Gjykatën Komerciale, e cila edhe një muaj pritet të fillojë punën.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me shumicë votash është zgjedhur kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli.

Në një intervistë për KosovaPress, Tutuli ka folur për numrin e lëndëve të shumta që kanë mbetur të pazgjidhura tash e shumë vite, ndërsa ka thënë se Këshilli Gjyqësor ka vendosur që Gjykata Komerciale të kalon në objektin e Gjykatës Themelore, pasi që nuk është përcaktuar ndonjë objekt i veçantë për këtë gjykatë.

“Këshilli Gjyqësorë i Kosovës ka caktuar komitetin për funksionalizimin e kësaj gjykate dhe janë duke u bërë përgatitjet për hapësirat që do të vendoset fillimisht kjo gjykatë, meqenëse dihet në këshill nuk është ndarë një objekt i veçantë për këtë gjykatë, prandaj, Këshilli Gjyqësorë deri sa të bëhet një zgjidhje ka vendosur që të vendoset në ndërtesën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku do të vendosen gjyqtarët dhe stafi dhe aty do të fillohet me punë”, tha Tutuli.

Kryetari i Gjykatës Komerciale ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar që të rrisë kapacitet e kësaj gjykate, meqë numri i madh i lëndëve e që janë rreth 9 mijë sosh, nuk mund të përfundojnë me numrin e gjyqtarëve sa janë aktual.

Sipas tij, Këshilli Gjyqësor ka kërkuar të shtohen edhe pesë gjyqtarë.

“Sipas udhëzuesit të transferimit të lëndëve dhe grumbullimit të lëndëve, respektivisht listave që janë bartë nëpër gjykata për bartjen e lëndëve, do të bartën diku rreth 9 mijë lëndë që është një numër i konsiderueshëm, prandaj këshilli e ka idenë që, apo ka vendosur që përveç numrit fillestarë të gjyqtarëve që ky numër të rritët edhe për pesë gjyqtarë ashtu që të mund ti mbulojmë të gjitha nevojat e kësaj gjykate, duke pasur parasysh numrin e lëndëve të cilat do të bartën në këtë gjykatë” tha Tutuli.

Sipas kryetarit Mahir Tutuli, puna në Gjykatën Komerciale, me lëndët të cilat janë më urgjente, pritet të fillojë në muajin qershor apo në fillim të muajit korrik. Krejt kjo pasi që tashmë është duke u bërë rekrutimi i gjyqtarëve të rinj dhe stafit administrativ.

“ Meqenëse me ligjin aktual për Gjykatën Komerciale nuk është paraparë një fazë kalimtare që është një hendikep i madh, ndërsa me të njëjtin ligj është shfuqizuar departamentet përkatëse që kanë ekzistuar deri tash, departamentet ekonomike, kemi ardhur në një situatë u pothuajse të gjitha veprimet do t’i ndërmarrim me procedura të përshpejtuara, Si pasojë KGJK, është angazhuar maksimalisht dhe janë duke u bërë përpjekje që të gjitha procedurat në një afat sa më të shkurtër, ashtu që të fillohet me punë, meqenëse lëndët janë duke u grumbulluar, mirëpo asnjë gjyqtarë nuk ka kompetencë të vendosë … pavarësisht angazhimit pa bord deri tash, Këshilli Gjyqësorë edhe të gjithë akterët përfshirë të gjithë, janë disa procedura ligjore të rekrutimit të stafit, të cilat marrin kohë dhe është e pamundur të përshpejtohet më tepër se kaq procedura për fillimin e punës të kësaj gjykate, presim që në pranimin, rekrutimin e gjyqtarëve diku deri në fund të muajit qershor apo në fillim të muajit korrik, veç të fillohet me procedurat me lëndë të natyrës urgjente” deklaroi Tutuli.

E natyra e lëndëve që do të trajtohen nga Gjykata Komerciale, sipas ligjit të ri, do të jetë specifikisht vetëm për problematikat e bizneseve përfshirë, kontestet pronësore, doganat e Kosovës, lejet dhe licencat.

“Deri tash kanë ekzistuar departamentet për çështje ekonomike në kuadër të Gjykatës Themelore dhe të asaj të apelit, mirëpo me ligjin e ri është rritur juridiksioni i kësaj gjykate, dhe përveç lëndëve të natyrës të cilat kanë qenë duke u trajtuar në këto departamente tani është zgjeruar kompetenca e kësaj gjykate edhe pasi Gjykata Komerciale, është konceptuar si gjykatë e cila do të jetë adresë e vetme për të gjitha çështjet që ndërlidhen me bizneset, qoftë konteste ndërmjet tyre, konteste nga pronësia intelektuale, kontekste lidhur me administratën tatimore, me doganat e Kosovës, si dhe të gjitha kontestet tjera lidhur me organet administrative, duke përfshirë lejet, licencat e caktuara të cilat deri tash kanë qenë kompetencë e gjykatës e departamentit administrativ në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Tutuli.

Sipas projektligjit, struktura organizative, Gjykata Komerciale gjykon çështjet brenda kompetencës së saj në dhomat e shkallës së parë dhe dhomat e shkallës së dytë. Dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale përbëhen nga katër departamente të ndara, përfshirë departamentin për çështje ekonomike, departamentin fiskal, departamentin për Çështje Administrative dhe Departamentin e Përgjithshëm.