Xhudistja kosovare

​ Viti i ri, problemi i vjetër për ekipin e Majlinda Kelmendit

Viti 2019 e gjeti xhudon kosovare pa Qendrën Nacionale, të cilën ekipi i trajnerit Driton Kuka e sheh si jetike për të ardhmen e sportit numër 1 të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Viti 2019 do të jetë tejet i rëndësishëm për xhudon kosovare të cilën e presin gara të mëdha ndërkombëtare të vlefshme për kualifikim në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova janë vetëm disa nga kandidatët potencial për të shkuar në Olimpiadë me flamurin e Republikës së Kosovës, ku natyrisht ekipi i Driton Kukës do të kërkojë ta përsëris suksesin e Majlindës të vitit 2016, kur kishte fituar medalje të artë në Olimpiadën e Rios.

Mirëpo, viti 2019 e gjeti ekipin fantastik të Kosovës me një problem të vjetër. Driton Kuka me nxënësit e tij nuk po kanë kushte të kënaqshme, të cilat nuk mund të përmirësohen pa ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos, të cilën Kuka e kërkon moti, pasi atë e sheh si diçka vendimtare për të ardhmen e sportit më të suksesshëm kosovar.

“Në vitin që lamë pas Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Sportit u angazhuan që të kemi kushte dhe përkrahje serioze. Kryeministri në fund të vitit përkrahu Ekipin Olimpik që të kemi kushte më të mira për punë. Komuna e Pejës e ndihmoi klubin financiarisht dhe jemi mirënjohës, por po e neglizhon ndërtimin e Qendrës Nacionale duke hedhur fajin tek Ministria e Ambientit dhe kjo ka mbet si problemi më i madh i pazgjidhur për xhudon”, ka theksuar Kuka.