Liga e Kampionëve

​​Provokon rëndë United, e quan Juven “Rubentus” në faqen zyrtare të klubit (FOTO)

Një shkrim rreth kundërshtarit të sotëm në Ligën e Kampionëve ka shkaktuar debat në Itali.

Pak orë para se të fillojë ndeshja mes Manchester United dhe Juventusit, klubi anglez i ka vënë një nofkë kundërshtarit, të cilën ata e urrejnë shumë.

Bëhet fjalë për pseudonimin “Rubentus”, që në Itali tifozë të skuadrave kundërshtare e përdorin shumë ndaj kampionëve të Serie A.

“’Rubentus’, një prej pseudonimeve që përdoren për “Zonjën së Vjetër” nga tifozët e skuadrave rivale në Itali të tilla si Fiorentina, Napoli dhe Interi. Kjo fjalë rrjedh nga folja italiane “vjedh”, por njëherazi është derivat i reputacionit të njollosur të bardhezinjve në të shkuarën, që kulmoi me çështjen Calciopoli”, thuhet në shkrimin në faqen zyrtare të klubit.

Reagimet e shumta në rrjetet sociale kanë bërë që United ta heq këtë shkrim nga faqja, por ende nuk dihet nëse ky emërtim për Juven ka qenë i qëllimshëm apo vetëm një gabim.